Kryetarja e KJV (Vettingut), Ana Kapaj pret ambasadoren e SHBA në Tiranë

E ngarkuara me punë e Ambasadës Amerikane në Tiranë, Leyla Moses-Ones ka zhvilluar një vizitë pranë ambienteve të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme” (Vettingut).

Diplomatja amerikane është takuar dhe ka zhvilluar bashkëbisedim me Kryetaren e KJV, Komisionerët, si dhe anëtarët e Sekretariatit Teknik, nga ku është njohur nga afër me ecurinë e deritanishme të procesit të vetingut, si dhe objektivat afatshkurtra të KJV.

Ambasadorja Moses-Ones e ka vlerësuar procesin si tepër të rëndësishëm dhe ka shprehur mbështetjen e saj maksimale, si dhe të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, për realizimin me sukses të tij.

KJV ka nisur punën me verifikimin e 45 dosjeve të para të zyrtarëve të lartë në Polici, Gardë e SHÇBA.