Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, i ngritur në zbatim të ligjit nr. 12/2018 “Për Vlerësimin Kalimtar dhe Periodik të Punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, i ndryshuar, gjatë periudhës 5 Qershor 2020 deri në 14 Gusht 2020, është ndodhur në kushtet e pamundësisë ligjore për të dalë në seanca dëgjimore me subjektet e vlerësimit, për shkak të zhvillimit të procesit ligjor lidhur me amendimet  në ligjin ekzistues, i cili parashikonte afat 1 vjeçar të përfundimit të veprimtarisë së KJV.

Më datë 18 qershor 2020, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin Nr. 74/2020 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin 12/2018”, i ndryshuar, i cili zgjati afatin e ushtrimit të aktivitetit të KJV deri në përfundim të kategorive të subjekteve që përcakton neni 6 i këtij ligji për gradat dhe pozicionet e larta drejtuese.

Presidenti i Republikës ushtroi të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjit në Kuvend, me dekretin nr. 1536,  datë  8.7.2020, por me Vendimin nr.46 dt. 23.7.2020, Kuvendi i Shqipërisë e rrëzoi këtë dekret, duke i dhënë fuqi ndryshimeve të tij që heqin afatin kohor për veprimtarinë e KJV deri në përfundim të vlerësimit të kategorive të gradave të larta në Polici, Gardë dhe SHÇBA si dhe shtojnë mundësinë që SHÇBA të vijojë punën paralelisht me KJV për vlerësimin e subjekteve të tjera me grada të mesme dhe të ulta.

Gjatë kësaj periudhe anëtarët e KJV dhe ST, në respekt edhe të vullnetit të ligjvënësit i cili përmes këtyre amendimeve ligjore, i ka dhënë besim dhe shtysë për të përmbushur misionin e saj ligjor, shprehën angazhimin e tyre për të punuar dhe shfrytëzuar edhe këtë periudhë tranzitore të pengesës ligjore, duke mos e ndërprerë aktivitetin e tyre dhe vijuar me punën administrative të çështjeve por për shkaqe të qarta ligjore, nuk kanë mundur me daljen e subjekteve në seancë publike pavarësisht se hetimi i tyre kishte përfunduar.

Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve ligjore, pas botimit të Ligjit nr.74/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 12/2018, botuar në fletore zyrtare Nr.140, dt.30.7.2020, pas datës 14 gusht 2020, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit rifilloi funksionimin e plotë ligjor duke planifikuar seancat dëgjimore të mbartura dhe ato në proces të cilat do të jenë në vijim të njoftuara edhe në faqen zyrtare të KJV.

Pavarësisht pengesave të shumta që ka hasur Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, që nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 me godinën e shpallur të pabanueshme, në vijim me pandeminë Covid 19 dhe më tej me bllokimin ligjor në qershor 2020 deri në Gusht 2020, ka vazhduar aktivitetin e saj. KJV që nga 25 janari 2020 deri në 5 qershor 2020 ka vlerësuar 14 subjekte dhe ka zhvilluar rreth 30 seanca dëgjimore. Në këtë periudhë duhet patur parasysh edhe ndërprerja 2 mujore, mars-prill për shkak të pandemisë kohë gjatë të cilës nuk janë zhvilluar seanca dëgjimore. Nga 5 qershori deri më 14 gusht nuk ka zhvilluar seanca dëgjimore për shkak të pamundësisë ligjore. Në datën 19 gusht 2020, ka zhvilluar seancë më një subjekt dhe ka dalë në vendimarrje me të po në këtë datë.

Në vijim KJV po vijon punën me dërgimin e relacioneve të trupave vlerësuese subjekteve, zhvillimin e seancave dëgjimore me subjekte të shortuara sipas listës së parë dhe fillimin me subjektet e listës së dytë dhe do të hedhë së shpejti edhe shortin e tretë të subjekteve me punonjës të SHÇBA, në zbatim edhe të amendimeve të fundit ligjore.

Të gjitha këto problematika dhe objektiva, janë të raportuara dhe të ndjekura në mënyrë të vazhdueshme dhe të përditësuara edhe nga Nënkomisoni Parlamentar i ngritur pranë Kuvendit të Shqipërisë me anëtarë të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, për ndjekjen dhe zbatimin e ligjit të vetingut, por edhe të diskutuara në Kuvendin e Shqipërisë si arsye objektive që u bënë shkak për amendimin ligjor të afatit të veprimtarisë së Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit.

Në takimin e zhvilluar së fundmi, më datë 16 shtator 2020 të deputetëve–anëtarë të këtij nënkomisioni parlamentar me Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit, u bashkëbisedua për vijueshmerinë e procesit pas amendimeve ligjore dhe nevojën për kapjen e kohës së humbur për shkaqet e ditura tashmë që kanë shoqëruar punën e KJV gjatë 2019 dhe 2020.

Tashmë ky organ nxitet dhe angazhohet maksimalisht që të kryejë këtë proces ligjor me efikasitet, objektivitet dhe vendimarrje të ligjshme e të paanshme, me qëllim moscënimin e procesit në tërësi dhe garantimin e të drejtës së subjekteve për një proces të rregullt ligjor.